Qeveria jep 60 milionë euro për subvencionimin e pagave të bizneseve

60 milionë euro për subvencionim të pagave për biznese aktive janë ndarë nga Qeveria e Kosovës. Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, në prezantimin e këtij propozimi tha se subvencionimi përfshin edhe bizneset e reja të regjistruara nga fillimi i vitit deri në muajin gusht 2020.

“Sipas Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe sipas vendimit të Qeverisë së datës 13 gusht, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ndahen 60 milionë euro, ndarja bëhet për subvencionimin e pagave për bizneseve aktive bazuar me numrin e të punësuarve, të deklaruar në deklaratën e tatimit të muajit dhjetor 2019 që plotëson kushtet në vijim: të kenë statusin e tatimpaguesit aktiv për muajin korrik dhe të kenë të dorëzuar deklaratën tremujore”, tha Bajrami.

Sipas saj, ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë rregulluar tregun nga rregullatorët nuk do të përfitojnë nga ky subvencionim.

“Subvencionimi përfshin edhe për bizneset e regjistruara për periudhën janar-gusht 2020, ku në këtë rast subvencionimi bazohet në numrin e të punësuarve për muajin korrik 2020. Nga ky vendim nuk do të përfitojnë ndërmarrjet publike dhe bizneset që e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët”, tha ajo.

Bajrami gjithashtu tha se janë ndarë edhe 7.5 milionë euro për subvencionimin e skemës pensionale.

“Ndahen 7.5 milionë euro për subvencionimin e skemës sociale për periudhën tetor-dhjetor 2020. Kjo pagesë kryhet në baza mujore me pagesën e rregullt të skemës sociale. Po ashtu, ndahen 12 milionë euro për subvencione dhe 1 milionë euro për përkrahjen e ndërmarrjeve publike”, përfundoi Bajrami.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi për dyfishimin e subvencioneve për bujqit.

Shperndajeni :
Reklamo Këtu