Mishi i pulës konsiderohet si një zgjedhje më praktike, ekonomike dhe e pasur ushqimore në krahasim me produktet e tjera shtazore. Më të rekomandueshme janë pulat e vendit. Kjo për faktin se pulat e importit kanë qenë shpesh pjesë e pasigurisë, veçanërisht rastet me pulat e Brazilit.

Pula përmban proteinë që ju pajis me shumë energji, shkruan AgroWeb. Për më tepër, mishi i pulës ka shumë vitamina dhe minerale përfshirë ato të kompleksit B, të cilat mbrojnë sistemin imunitar dhe balancojnë nivelet e kolesterolit.

Përmbajtja yndyrore: Gjoksi apo kofshët e pulës?


Nëse do t’i krahasonim këto pjesë të pulës, duke marrë për bazë përmbajtjen e yndyrës, duhet të dini se kofshët kanë më shumë yndyrë se pjesa e gjoksit. Kofshët kanë një mish më të yndyrshëm. Kjo për fat të keq u ka dhënë atyre reputacionin e një produkti jo të shëndetshëm. Pjesa e gjoksit nga ana tjetër është e bardhë dhe përceptohet si më e shëndetshme. Megjithatë yndyra në fjalë është e mirë. Ajo është mono-e-pangopur e cila ndihmon në rënien në peshë, për kontrollin e kolesterolit dhe uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

Një sasi prej 85 gramësh të mishit të pjekur të gjoksit të pulës përmban 7 gramë yndyrë të plotë dhe 2 gramë yndyrë të ngopur që përkthehet në 10 përqind të dozës së rekomanduar ditore. Kofshët e pulës nga ana tjetër përmbajnë 13 gramë yndyrë të plotë dhe 3.5 gramë të ngopur ose 20 përqind e dozës së rekomanduar ditore. Përmbajtja e yndyrës së këtyre pjesëve të mishit të pulës mund të pakësohet duke hequr lëkurën. Pavarësisht kësaj, të dyja pjesët e pulës kanë të njëjtën sasi hekuri dhe kolesteroli të mirë.

Shperndajeni :
Reklamo Këtu