Isë, jep dorëheqje!!! Boll e shkatërrove LDK-në

LDK

Shkrim nga: Faton Mehmeti

Ishte e pritshme nga të gjithë që po e shihnin rënien e LDK në greminë, vetëm Isa, Agimi dhe soji i tyre nuk e shihnin drejt realitetin. Shpërfaqja e mbrapshtë e realiteti, me veturën që po binte në greminë, me iluzion se ajo po ngjitej, solli këtë rezultat: debakël. Me rezultatin më të dobët në histori të saj, LDK ka nevojë emergjente për ndryshime, fjalët s’kanë më vend. Kur flet populli, politikanët duhet të heshtin, pikërisht këtë gjë nuk e ka bërë LDK deri tani. Me arrogancën e saj, LDK ka shpërfillur gjithnjë vullnetin e qytetarëve, aq larg shkoi Isa me arrogancën e tij, sa me bindje thoshte “se qytetari nuk vendos kush qeverisë”, tani Isë, pse s’po qeverisë pa qytetarin, a?!

LEXO EDHE: Milaim Zeka: LDK e mori atë që e ka meritu

Jo Isë, duhet me dhënë dorëheqje menjëherë, mjaft e shkatërrove LDK-në. Fatkeqësia nuk qëndron vetëm tek Isa, por edhe tek kryesia servile, tek disa të rinj që nuk kanë kërkuar reforma por janë mjaftuar me komoditetin e tyre. Nëse ka mbetur pak dinjitet tek dikush në LDK, duhet të kërkojnë menjëherë largimin jo vetëm të Isës, por komplet kryesisë së saj. Populli ia dha shuplakën për të zgjuar LDK-në nga gjumi, për të reflektuar, për të ndryshuar.

Në postimin e tij të pas zgjedhjeve, Isa shkruante se do analizojnë humbjen, retorikë që bëhet gjithnjë kur humb, por asnjëherë s’ka pasur ndryshime, as reflektim. Derisa lexoja mesazhin e Isës, pritja që mos po has diku ku shkruhet “ jap dorëheqje”, por nuk ndodhi, dhe vështirë të ndodhi. Isa pa pushtet nuk mund të jetojë, ves i njerëzve të sëmurë pas pushtetit. Tani është koha, edhe pse nuk e besoj se ndodhë kjo, për të shpëtuar LDK nuk është vonë, duhen menjëherë reforma, reforma të thella. Sa më gjatë që Isa qëndron në krye të LDK, si dhe kryesia aktuale e saj, dhe sa më shumë mundohen të pengojnë vullnetin e qytetarëve përmes lojërave të iniciuara nga PDK, LDK vetëm sa do bie edhe më poshtë, aty ku s’do dëshironte askush ta shihte.

Me kokën ulur, me përgjegjësi para votuesve, me një kërkim falje për gabimet që ka bërë, ky është vetëm fillimi i ndryshimeve të mëdha në LDK, për tu kthyer përsëri si konkurrente për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme. Por, kjo duhet të nis qysh sot, çdo vonesë në këtë drejtim vetëm sa e vështirëson punën për LDK-në, për ata të rinj që besojnë fuqishëm në vizionin rugovian. Isa do të mbahet mend si njeriu më i gërditshëm që ka pasur LDK dhe jo vetëm, bashkë me Hashimin dhe lojërat e tyre të ndyta. Koha e tyre ka perënduar, ka mijëra të rinj të ndershëm në LDK, që nuk po iu vije radha për të punuar sipas modelit të Rugovës. Tani është koha, Isë jep dorëheqje.

Shperndajeni :
Reklamo Këtu
Mundësi punësimi në Gjermani