Arrestohet shqiptari, donte të hynte në Gjermani me identitet të rrejshëm

Një shtetas i Shqipërisë, është kthyer mbrapsht në Austri.

Policia Federale e Gjermanisë ka arrestuar një shqiptar deri sa ky i fundit ishte përpjekur të hynte në Gjermani me identitet të rrejshëm.

Policët federalë kanë ndaluar për kontrollim në pikën kufitare Schwarzbach në autostradën A8 një autobus me regjistrim kosovar. Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, atyre u ra në sy një shtetas 28 vjeçar i Shqipërisë, i cili u tregoi një pasaportë në gjendje të rregullt, shkruan dpa.de.

Por me rastin e rishikimit të të dhënave në pasaportë, policët panë në kompjuter se për personin me këto të dhëna ishte në fuqi një ndalim hyrjeje në Gjermani. Për këtë arsye ata e kanë marrë të dyshuarin dhe e kanë çuar në Freilassing, për hetime të mëtejme.

Duke e shikuar pasaportën më hollësisht, policët erdhën në konstaimin se ajo nuk i takonte fare personit të kapur. Ai, për udhëtimin e tij në Gjermani, kishte përdorur pasaportën e vëllait, të cilit i ngjante së tepërmi.

Pastaj, përmes shenjave të gishtërinjve, hetuesit kanë arritur ta sqarojnë identitetin e vërtetë të shqiptarit, përcjell albinf.ch. Por edhe në të dhënat e tij origjinale figuronte një ndalesë hyrjeje në Gjermani, e cila i ishte shqiptuar për pesë vite.

Pasi konfiskoi dokumentin e keqpërdorur, policia i bëri kallëzim penal shqiptarit, për përdorim abuzues të dokumentit dhe për përpjekje të hyrjes ilegale në Gjermani. Me këtë rast atij iu ndalua hyrja dhe u la në dorëzim te autoritetet austriake.

Shperndajeni :
Reklamo Këtu